VIDEO/ LeBron i tregon Williamson kush është “Mbreti”, triumfojnë Lakers

schedule12:25 - 26 Shkurt, 2020

schedule 12:25 - 26 Shkurt, 2020

LeBron James fitoi duelin personal me yllin e ri të basketbollit amerikan, Zion Williamson. Ishte një duel brezash në Los Anxhelos.

Që kur ai është kthyer nga dëmtimi, New Orleans Pelicans duket skuadër tjetër dhe në 6 ndeshje ka fituar 5. Në vendin e Hollivudit, në Los Anxhelos, Zion Williamson do të duhej të bënte “pelegrinazhin” në shtëpinë e Mbretit të kurorëzuar të basketbollit botëror, LeBron James, një vizitë që nxori disa konkluzione.

Lakers fituan 118-109, ndërsa Mbreti LeBron triumfoi në duelin ndaj “pretendentit të fronit”.  Asgjë për t’u habitur këtu, është krejt normale që një lojtar që ka 16 vjet karrierë të jetë më mirë sesa një djalosh me vetëm pak ndeshje përvojë dhe në moshën 19-vjeçare.

Në fund të fundit, diferenca nuk ishte shumë e madhe. James shënoi 40 pikë, rekordi i sezonit për të, kapi 8 topa në tabela e shërbeu 6 asiste. Po ashtu bllokoi 1 gjuajtje. U duk sikur ai deshi të tregonte se kush mbetet më i miri dhe të paralajmëronte se nuk do të jetë e lehtë për ta kaluar.

Williamson pati 29 pikë, 6 topa në tabela, 3 asiste dhe 1 vjedhje topi. Ai gaboi 6 nga 19 gjuajtjet e lira dhe kjo nuk e lejoi të kalonte shifrën rekord të sezonit, 32 pikë.  Ishte Brendon Ingram, më i miri për New Orleans Pelicans, me 34 pikë, ndërsa Anthony Davis për herë të parë nuk shënoi të paktën 40 pikë ndaj ish-ekipit të tij.

Ylli i Lakers e mbylli ndeshjen me 21 pikë e 14 topa në tabela. Kalifornianët kryesojnë në Perëndim me 44 fitore e 12 humbje, ndërsa New Orleans Pelicans pati një ndalesë, por ka shpresa për të mbërritur në “play off”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!