Ndërkohë që vende të rajnonit kanë marrë masa drastike në lidhje me hyrje-daljet në Itali dhe me të kthyerit nga vatrat e koronavirusit, në Shqipëri, qarkullimi në pikat kufitar me vendin fqinj është vetëm nën monitorim.
Në orët e para të mëngjesit, në Portin e Vlorës mbërriti trageti nga Brindisi me 217 pasagjerë. Asnjë nga udhëtarët nuk është lejuar të dalë pa u kontrolluar dhe intervistuar.
“Kontrolle që nisin që në traget dhe vijojnë edhe në dalje të portit. Mes të mbërriturve me tragetin nga Brindisi ka edhe shumë italianë. Ata e cilësojnë situatën preokupuese në shtetin fqinj, kryesisht në veri.
Në një intervistë ata thanë për “ABC News” se në Itali situata është pak shqetësuese, por nuk ka vend për frikë. Nëse je i kujdesshëm dhe merr masat paraprake çdo gjë mund të zgjidhet.
“Erdha me traget. Në Pulja nuk ka asgjë, vetëm në veri. Njerëzit janë pak të shqetësuar, por autoritetet na thonë të mos shqetësohemi”, tha një tjetër udhëtar.
“Shqetësim kemi të gjithë, pasi nuk e dimë çfarë është dhe si kurohet. Njerëzit po reagojnë me frikë, kanë zbrazur supermarketet. Institucionet na thonë të jemi të qetë”, tregoi një prej qytetarëve.
Shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Itali rrëfejnë për gjendjen në vendin fqinj.
“Nuk është përhapur atje ku jam unë, por njerëzit janë të trembur. Shkollat në veri janë mbyllur”, shprehen qytetarët.
Ndërkohë autoritetet në Vlorë konfirmojnë se nuk ka vend për panik dhe se çdo gjë është nën kontroll.
“Nuk kemi problematika, nuk është konstatuar asnjë person me probleme në gjendje shëndetësore, apo me koronavirus”, theksoi ai.
Masa të shtuara ka edhe në Portin e Durrësit. Të gjithë udhëtarët dhe ekuipazhet e anijeve tregtare, përpara se të zbresin i nënshtrohen kontrollit./abcnews.al