Vanessa Bryant hedh në gjyq kompaninë e helikopterit ku humbën jetën Kobe dhe Gianna

schedule09:20 - 25 Shkurt, 2020

schedule 09:20 - 25 Shkurt, 2020

Më 26 janar, kampioni i basketbollit Kobe Bryant, vajza e tij 13-vjeçare, Gianna dhe 7 persona të tjerë humbën jetën në një aksident me helikopter.

Helikopteri i tyre qarkulloi për disa minuta në mjegull, duke u rrëzuar më pas në Los Angeles.

Vdekja tragjike e 9 personave hidhëroi mbarë botën, ndërsa bashkëshortja e Kobe, Vanessa, ka vendosur të merret personalisht me këtë çështje shkruan BBC.

Teksa po përpiqet të qëndrojë e fortë për vajzat e saj, ajo po mundohet gjithashtu të vendosë drejtësinë në vend.

Për këtë arsye, ajo ka hedhur në gjyq kompaninë e helikopterit ku fluturonte Kobe dhe e bija.

Në Gjykatën e Lartë të Los Angeles, ajo ka dërguar një padi prej 72 faqesh, ku akuzon kompaninë “Islan Express” për neglizhencë.

Vanessa pretendon të marrë një dëmshpërblim prej kompanisë dhe kjo e fundit të ndëshkohet ekonomikisht.

Ajo është shprehur se piloti po i jepte helikopterit me shpejtësi 180km/h në kushte të pafavorshme të motit dhe ka akuzuar kompaninë se nuk duhet ta kishte lejuar ngritjen e helikopterit.

Kjo padi është regjistruar vetëm pak orë para se njerëzit të mblidheshin për të mbajtur homazhe në “Staples Center” në Los Angeles./abcnews.al