Gjashtë personat e akuzuar për rrëmbimin dhe ekzekutimin e Jan Prengës do të qëndrojnë në qeli. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka konfirmuar këtë masë sigurie për të arrestuarit e ngjarjes se 17 janarit, kur Prenga u rrëmbye në Kamzë për llogari të pazareve të prishura mes bandave të drogës e më vonë u vra, ndërsa kufoma akoma nuk i është gjetur.
Elton Hajri, Leonard Hajri, Bajram Hajti, Olsi Turja, Festim Bexhdili dhe Ardian Doci akuzohen si përgjegjës për masakrën e kryer në kompleksin “Gold” në Shijak.
Dy prokuroret e çështjes Altin Dumani dhe Behar Dibra kanë relatuar në seancë provat që rëndojnë mbi të akuzuarit, ndërsa CD-në me pamjet filmike prokurorët nuk e kanë hapur. Deri tani në media nga hetuesit që disponojnë këtë video, kanë rrjedhur imazhe që faktojnë ekzekutimin e Prengës.
Burime për ABC News bëjnë me dije se nga te arrestuarit, vetëm Festim Bexhdili pranon që ka qenë në vendngjarje, që është marrë me pastrimin e gjurmëve dhe armët i kanë lënë pengmarrsit, ndërsa personat e tjere mohojne që të kenë lidhje me ngjarjen./ abcnews.al