Liga Profesioniste nuk gjen qetësi. Ditën e djeshme është zhvilluar takimi i radhës, ndërkohë që një pjesë e presidentëve vijojnë t’i bojkotojnë mbledhjet e saj. Vetëm gjashtë klube kishin përfaqësues këtë herë: Kukësi, Tirana, Skënderbeu, Laçi, Luftëtari dhe Teuta.
Dështim i Ligës Profesioniste ende pa nisur funksionimi normal i saj. Mbledhja e djeshme ka pasur edhe zhvillime të reja, pasi sipas asaj që raporton “Panorama Sport”, presidenti i Laçit, Pashk Laska, ka debatuar me presidentin e Ligës, Edmond Libohova.
Kreu i klubit kurbinas ka qenë i ashpër, duke akuzuar se Libohova nuk po i mbron interesat e klubeve dhe se nuk po i përfaqëson ata si duhet kundrejt Federatës Shqiptare të Futbollit. Laska ka lënë mbledhjen, ndërkohë që Libohova është shprehur më pas se nuk mund të vazhdojë në këto dhe mund të largohet nga pozicioni që ka.
LASKA I MËRZITUR NGA MBLEDHJA E JANARIT – Presidenti i Laçit ka shprehur më parë rezerva edhe për homologët e tij. Para pak kohësh ishte menduar edhe një bojkot i Superiores, pasi qeveria nuk po e mban premtimin për hartimin e Paketës së re fiskale për Sportin.
Mbledhja mes presidentëve, ku do diskutohej për bojkotin, mund të konsiderohet e dështuar (u mbajt më 24 janar), pasi ishin vetëm përfaqësuesit e pesë klubeve. Në fund të mbledhjes Laska foli për mediat, ndërkohë që presidentët e tjerë u larguan.
Kjo e mërziti presidentin e Laçit, i cili prej gati 15 vitesh investon në klubin e vogël verior. Kjo heshtje e klubeve atij nuk i ka pëlqyer, ndërkohë që dje nuk ka duruar dhe i është kundërvënë Libohovës, i cili është edhe zëvendëspresident i Federatës Shqiptare të Futbollit. /abcnews.al