Partitë opozitare kanë mundur të bindin Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin për idenë e tyre të krijimit të një grupimi më të vogël, brenda koalicioneve zgjedhore.
Në takimin 90 minutësh që zhvilluan në selinë blu mesditën e të mërkurës, aleatët sqaruan në tryezën opozitare se formula e re do të maksimalizojë votën brenda koalicionit opozitar, dhe do t’i jap një rol të ri çdo force politike.
Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura, konfirmojnë për ABC News se kryedemokrati Basha por edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi nuk kanë shprehur rezerva për propozimin e partive të qendrës së djathtë, duke dhënë dakordësi që drafti pasi të shihet nga ekspertët zgjedhore të kalojë për votim në tryezën politike të reformës zgjedhore.
Në draftin e hartuar nga republikanët e Fatmir Mediut, i cili mori më pas edhe mbështetje nga Duka, Shehi, Dule dhe Ndoka kërkohej që brenda koalicioneve politike të mund të krijohen edhe grupime politike me dakordësi brenda aleatëve të të njëjtit koalicion. Për këtë është kërkuar edhe ndryshime në Kodin Zgjedhor.
“Për t`u regjistruar si koalicion zgjedhor apo grupim politik, partitë politike duhet të paraqesin në KQZ kërkesën e tyre, e cila duhet të përmbajë dhe deklaratën e nënshkruar nga kryetarët e secilës parti politike, të regjistruara si subjekte zgjedhore, nëpërmjet së cilës jepet pëlqimi për të marrë pjesë si anëtare e koalicionit apo dhe e grupimit politik. Në rastin e një marrëveshje të tyre, deklarata duhet të përmbajë dhe mënyrën e përfshirjes së një apo më shumë kandidatëve të partive politike të koalicionit apo grupimit politik, në një listë të njërës prej këtyre partive politike, renditjen e tyre sipas rendit shifror, si dhe zotimin për të përmbushur këtë detyrim”. KQZ konfirmon kërkesën për njohjen dhe regjistrimin si subjekte zgjedhore të koalicionit si dhe grupimit politik, në bazë të marrëveshjes së tyre. Në këtë rast renditja përfundimtare e kandidatëve të listës shumëemërore zbatohet drejtpërdrejt nga KQZ-ja”.
Do të jenë ekspertët zgjedhorë të opozitës fillimisht ata që do të vlerësojnë ndryshimet dhe më pas propozimi do të shkojë në tryezën e reformës, ku drafti do të merret në shqyrtim edhe nga maxhoranca e cila do të bëj kalkulimet e saj politike përpara se të shprehet me votë./abcnews.al