Në një prononcim për mediat nga Korça kreu i Komisionit të ligjeve, Ulsi Manja ka komentuar deklaratën e djeshme të presidentit të Republikës Ilir Meta.
Teksa Meta paralajmëroi se nuk do t’i dekretojë ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, Manja tha se Presidenti me një deklaratë të tillë kërkoi të eklipsonte një konferencë të jashtëzakonshme për shqiptarët duke iu referuar konferencës së donatorëve. Ai theksoi se nëse Presidenti ia kthen sërish Kuvendit, Kuvendi do e rrëzojë dekretin.
“Për presidentin e kam të qartë përgjigjen, kjo mazhorancë do të zbatojë kushtetutën, ligjet e vendit dhe rregulloren e kuvendit. Nëse presidenti në vazhdën e shumë ligjeve që nuk i dekreton dhe ia kthen përsëri kuvendit, kuvendi do të rrëzojë dekretin e presidentit.
Nisma për ndryshime në ligjin e Gjykatës Kushtetuese është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë më 6 dhjetor të vitit 2019, Kuvendi u shpërnda në 18 dhjetor të vitit 2019 sepse u mbyll sesioni i vjeshtës dhe rifilloi punën sipas rregullores së Kuvendit më 20 janar dhe projektligji që ne miratuam në Kuvendin e Shqipërisë, kaloi në të gjitha filtrat dhe procedurat parlamentare dhe ishte një ndryshim normal, ishte një mekanizëm për zhbllokimin e një situate konfliktuale siç është rasti i betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, tha Manja.
Më tej deputeti socilaist shprehet se Presdenti po luan rolin e opozitës.
“Presidenti mund të këtë parasysh shumë gjëra por duhet t’i referohet nenit 1 të Kushtetutës së Shqipërisë. Shqipëria është Republike Parlamentare. Presidenti është një institucion kushtetues që buron nga Kuvendi i Shqipërisë dhe është i detyruar si çdo institucion tjetër t’i bindet kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Ilir Meta sot është opozita e vendit, me sjelljen e vet politike po luan rolin e opozitës. Ne si mazhorancë për sa kohë do të jetë në atë funksion do e respektojmë si president i vendit por kjo nuk do të thotë që kuvendi mos analizojë dhe të trajtojë sjelljen e presidenti të republikës shkeljen e kushtetutës”, ka deklaruar ai./abcnews.al