Egbo: Nuk është fundi i botës ky barazim, ja pse nuk bëj tifo për Bylisin

schedule19:34 - 15 Shkurt, 2020

schedule 19:34 - 15 Shkurt, 2020

Shtatë fitore radhazi në kampionat dhe Tirana ndalet tek e teta. Gjithsesi bardheblutë nuk u mposhtë, pasi ndeshja me Skënderbeun përfundoi në barazim 1-1. Pas kësaj sfide, trajneri Emanuel Egbo foli në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.

“Nuk është fundi i botës ky barazim. Me volum loje si sot, jam shumë i kënaqur me atë që dhanë lojtarët, sidomos në pjesën e dytë. Kishte luftë sportive, grintë, dëshirë për të fituar. Goli i Skënderbeut? Mund t’i ndodhë çdo ekipi, Doka u rrëzua dhe Skënderbeu shënoi.

Mënyrën si shkoi loja, barazimi ishte rezultati më i drejtë. Po të ishim pak më të qetë dhe më me disiplinë taktike, mund të merrnim tre pikët. E kemi filluar lojën mirë, e kishim diskutuar këtë gjë. Ne e kemi filluar sfidën, lojtarët ishin shumë të motivuar dhe ngaqë kishim fituar shumë ndeshje, kërkonin të fitonin me doemos. Kishim disa mundësi për të fituar ndeshjen.

Nuk bëj tifo për Bylisin, e njoh presidentin e Ballshit dhe e di që ekipi do të futet në fushë për të marrë tre pikët. Do ta shoh ndeshjen me qetësi, sido që të jetë rezultati, është një ndeshje, ka dhe 14 javë deri në fund të kampionatit. Nuk është se mbaron nesër kampionati. Nuk ka rëndësi kush afrohet, kush largohet. Ne gjithmonë shohim ecurinë e skuadrës tonë, do të marrim ndeshjet një e nga një.

Ndërrimet mund t’i bëja pak më shpejt, por Ngoo ka gjatësi dhe mund të na duhej në fund. E kemi tentuar dhe topin e gjatë, që Ngoo ta ruajë topin dhe të afrohet ekipi. Prandaj e vonova disi zëvendësimin. Ngoo nuk ishte në ditën e tij më të mirë, por është normale, njerëz jemi, nuk jemi gjithmonë në 100%. Te momenti i golit, Ngoo ishte aty për të ndihmuar ekipin”, tha Egbo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!