Nevoja për sulmues bëri që Manchester United të gjente zgjidhjen në ditët e fundit në Kinë. Klubi anglez ra dakord me Shenhua për huazimin e Odion Ighalo. Sulmuesi nigerian ka qëndruar i izoluar nga pjesa tjetër e skuadrës këto ditë për shkak të frikës nga koronavirusi. Gjithsesi, trajneri Solskjaer u shpreh se do e grumbullojë 30-vjeçarin për ndeshjen me Chelsea, teksa nuk përjashtohet debutimi me fanellën e re.
Një fanellë tepër e dashur për motrën e tij, e cila u nda nga jeta jo shumë kohë më parë. Mary ishte një tifoze e zjarrtë e United dhe lutej që vëllai i vogël të luante një ditë në “Old Trafford”. Ighalo tregon historinë e trishtë në një prononcim për The Sun dhe ndihet keq që motra e tij nuk po e shijon këtë moment.
“Ndjej një dhimbje të madhe. Mary ishte si një mama për të gjithë ne, kur isha i vogël ajo kujdesej për mua. Po përpiqem të jem i fortë si njeri, por ndonjëherë qaj. Më mungon shumë. Motra ime ishte një tifoze e madhe e Manchester United. Jemi rritur duke parë United në TV. Burri i saj është tifoz me Chelsea, ndërsa fëmijët me Manchester City.
Gjithsesi, ajo mbeti besnike e ‘Djajve të Kuq’ dhe lutej që një ditë të firmosja me këtë klub. Pjesa më e dhimbshme është që ëndrra e saj u realizua, por ajo nuk ndodhet këtu për ta shijuar. E di që ajo po më ndjek nga lart. Do të luaj me emrin e saj në këpucët e mia. Çdo gol që do shënoj deri në fund të karrierës do t’ia dedikoj Zotit dhe motrës time“, deklaron Odion Ighalo. /abcnews.al