EMRI / OFL i dërgoi formularin për justifikimin e pasurisë, kush është “Kumbari” i Shkodrës?

schedule11:42 - 10 Shkurt, 2020

schedule 11:42 - 10 Shkurt, 2020

OFL i ka dërguar formularin për të deklaruar pasurinë dy personazheve të njohur të botës së krimit në Durrës dhe Koplik.

Burime zyrtare bëjnë me dije se njëri prej tyre është dënuar në Gjermani për trafik narkotikësh, kurse tjetri në Belgjikë për trafik të qënieve njerëzore.

“Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së.

Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili brenda jo më shumë se 15 ditësh, duhet të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre. Sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit dhe në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre”, njoftoi policia gjatë paradites së sotme.

ABC News ka mësuar se personi me inicialet B. P., banues në Koplik, Shkodër, i dënuar në Belgjikë për trafik të qenieve njerëzore është Bardhok Pllanaj i njohur si Kumbari i Shkodrës.

Në dhjetor të vitit 2018 Pllanaj u arrestua nën akuzën e “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, “Ndërtim pa leje”.

Pllanaj pas një hetimi disa mujor, prej disa vitesh kishte filluar ndërtimin për qëllime përfitimi të një objekti 10-katësh pa u pajisur me lejet përkatëse të lëshuara nga organet kompetente.

Gjatë hetimeve të kryera asokohe rezultoi se objekti i ndërtuar nga Pllanaj ishte financuar nga të ardhura që dyshohet që kishin ardhur si rrjedhojë e aktivitetit kriminal që kishte kryer Pllanaj më parë.

Për këtë arsye iu vendos dhe masa e sigurimit pasuror me vendim gjykate “Sekuestro preventive”, në bazë të Urdhrit të Ekzekutimit Vendimit Penal nr.1169 datë 29.11.2018, për pallatin 10- katësh në qytetin e Shkodrës në pronësi të tij, dhe që kapte vlerën 2 milion Euro.

Në tetor të 2019 Pllanaj theu masën e sigurisë “arrest në shtëpi” që ishte marrë ndaj tij, duke u larguar në drejtim të Lushnjes, aty ku sërisht u arrestua Bardhok Pllanaj nën akuzën e “Largimit i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Emri i Pllanajt do të lakohej për herë të parë në vitin 2014, gjatë operacionit policor “Laguna e Vilunit”, ku u sekuestruan gati një ton hashash. Shtatë persona u arrestuan, por Pllanaj arriti t’i shmangej kapjes.

Sipas Partisë Demokratike në atë kohë, për t’iu shpëtuar prangave, trafikanti u fsheh në automjetin e ish-deputetit Mark Frroku, por ky i fundit mohoi akuzat.

Sipas policisë Bardhok Pllanaj rezulton si person me precedent të theksuar kriminal./abcnews.al