Ish-ylli i Milanit, Ricardo Kaka, është rikthyer të flasë për ekipin e tij të zemrës. Në një intervistë të fundit, braziliani ka folur për “San Siron”, shokun e tij Ronaldo si dhe për një rikthim të mundshëm te Milani.
“Dëshira ime është që në stadiumin e ri të këtë disa elementë arkitekturorë të “San Siros”. Unë e kuptoj që futbolli është biznes, por ndjenjat nuk mund të ndalohen dhe ai stadium është pjesë e çdo tifozi të Milanit. “Maracana” ka ndryshuar shumë herë, por historia vazhdon të mbetet në të,” tregon 37-vjeçari.
“Ronaldo? Ai është i veçantë. Ka fituar çdo titull të mundshëm, por vazhdon të jetë i motivuar për të vazhduar. Është për t’u duartrokitur. Në vitin e fundit tek Orlando e kisha shumë të vështirë për të marrë një vendim, por mendoj se ishte i duhuri. Nuk jam fare i penduar, pasi mendoj se ishte koha e duhur për t’i dhënë fund”, deklaron Kaka, i cili ka qenë shok skuadre me Cristianon te Real Madrid.
“Milani? Do të jetë gjithmonë në zemrën time. Kam shumë dëshirë të rikthehem një ditë, por jo tani. Do të dëshiroja të punoja me dyshen Boban-Maldini dhe të ndihmoja klubin në çdo gjë, por nuk është momenti për t’u larguar nga Brazili. Gjithsesi derbin e së dielës do ta ndjek me shumë dëshirë, siç kam bërë gjithmonë,” mbyll fituesi i “Topit të Artë” në vitin 2007. /abcnews.al