Elbasan, gjykata lë në burg dy ish-drejtorët e Rrugëve

schedule12:35 - 4 Shkurt, 2018

schedule 12:35 - 4 Shkurt, 2018

Dashamir Xhika dhe Andi Toma, ish-drejtorë të Përgjithshëm të Rrugëve, të arrestuar me akuzën e shpërdorimit të detyrës, u lanë në burg nga gjykata e Elbasanit. Seanca u ndërpre dy herë me kërkesë të avokatëve mbrojtës, pasi kërkuan zëvëndësimin e turpit gjykues si edhe prokurores së çështjes.

I qetë dhe me pranga në duar, doli para trupit gjykues këtë të diel ish-Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Dashamir Xhika.

Ish-funksionari i lartë i LSI, akuzohet nga prokuroria e Elbasanit bashkë me të edhe paraardhësin e tij, Andi Toma, për abuzime me tendera, vlera të cilave shkon deri në 5 miliardë lekë.

Gjatë gjithë kohës që zhvillohej seanca gjyqësore në sallën e gjyqit qëndronte edhe deputeti i LSI-së në Qarkun e Elbasanit, Edmond Haxhinasto.

Seanca u ndërpre dy herë me kërkesë të avokatëve mbrojtës.

Ata kërkuan tërheqjen nga çështja të gjykatëses, Idushe Maliqi dhe prokurores, Armanda Xhaferi, me arsyetimin se kanë shkelur procedurat për arrestimin dhe kontrollin e banesave të të pandehurve mbremjen e se enjtes.

E gjendur përballë një kërkese të tillë, gjyqtarja Maliqi ndërpreu seancën për ta rifilluar një orë më vonë. Në fund u vendos që Xhika dhe Toma do të qëndrojnë në masën e sigurisë arrest në burg deri në përfundim të hetimeve.

Përveç dy ish-drejtorëve të Rrugëve, në qeli do të qëndrojnë edhe 3 pjestarët e familjes Hysa, të cilët ndërtuar segmentin Elbasan-Gjinar. Ndërkohë, po hetohen në gjendje të lire edhe 5 persona të tjerë të cilët kanë pasur rolin e mbikëqyrësit të segmentit rrugor.