Edinson Cavani ishte shumë pranë kalimit tek Atletico Madrid, por në fund nuk u bë e mundur kjo lëvizje. PSG kërkonte 30 milion euro për sulmuesin, të cilit i përfundon kontrata në verë. Presidenti i klubit spanjoll, Enrique Cerezo, fajësoi familjen e sulmuesit për dështimin e marrëveshjes.
Disa ditë më parë ishte Walter Guglielmone, ai i cili hodhi poshtë gjithçka, ndërkohë që tanimë flet edhe e ëma e Edinson, Berta Gomez. Përmes deklaratës së saj për “AS”, ajo thekson se në verë Cavani mund të kalojë tek Atletico Madrid vetëm nëse presidenti i klubit tërhiqet nga ato që ka deklaruar.
“Nuk e kuptuam pse presidenti e tha një marrëzi të tillë. Ishte e pavend dhe na ka lënduar shumë. Është absolutisht jo e vërtetë që Walter (menaxheri dhe vëllai i Edinson Cavani) kërkuan një tarifë për transferimin. Ai duhet t’u kishte thënë tifozëve të vërtetën pse nuk shkoi Cavani tek Atletico.
LEXO EDHE: “Kush është ky Cerezo? Cavani për para mund të ikte në Premier League”
Së pari PSG nuk donte që ai të largohej dhe së dyti Atletico nuk e arrit në asnjë moment shumën që ata kërkuan. Djali im bëri gjithçka që të mund të shkonte tek Atletico. Bëri presion duke mos luajtur te PSG dhe i tha vëllait të tij që ishte i gatshëm të ulte pagën që të firmoste me ta. Ai dëshironte të luante me spanjollët dhe e tregoi në çdo hap diçka të tillë”.
“Edinson nuk donte të ishte paraja arsyeja pse nuk shkoi tek Atletico. Po të ishte për to, ai mund të transferohej te Manchester United, Chelsea ose Inter Miami, që bënë oferta më të mira. Presidenti duhet të kërkojë falje.
Ne nuk jemi mashtrues dhe gjithçka mund të rregullohet nëse ai tërheq pas ato që ka thënë. Djali im do të ketë oferta, pasi është një sulmues që e ka treguar veten për vite të tëra”, është shprehur nëna e Edindon Cavani, i cili në verë do të largohet nga PSG si lojtar i mirë dhe mund të firmosë me këdo klub që do t’i bëjë një ofertë të kënaqshme. /abcnews.al