Dëmet e shkaktuara nga termeti i 26 Nëntorit kapin vlerën e 985 milionë euro. Shifra zyrtare del rreth dy muaj e gjysmë pas termetit. Gjatë një konference të përbashkët me ambasdorin Luigi Soreca dhe ekspertë të huaj, ministri Blendi Çuçi deklaroi se “ekspertet kanë vlerësuar se dëmet në banesat e verifikuara shkojnë në 985 mln euro”. Çuçi në fjalën e tij tha se rreth 90 persona, mes tyre 60 ekspertë të huaj dhe vendas, si dhe zyrtarë të institucioneve shqiptare ta përfundonin raportin e vlerësimit më 30 janar 2020.Një shifër të përafërt kishte dhënë edhe Rama në Itali, ku në një bisede informale me ministrin italian, tha se “dëmi është afro 1 miliardë euro”.
Pjesë nga fjala e ministrit
Raporti PDNA është hartuar sipas standardeve të BE, BB dhe UNDP dhe me të njëjtën metodologji që është përdorur edhe në rastet e fatkeqësive të tjera natyrore në botë. Raporti është furnizuar me të dhëna përmes sistemit të akt-verifikimit dhe raportimit on-line të dëmeve. Krahas ngritjes së këtij sistemi në kohë rekord, po në kohë rekord u bë verifikimi i mbi 50 mijë ndërtesave të cilat përbëjnë 80% të totalit të objekteve të dëmtuara nga tërmeti si dhe u verifikuan 100% të gjitha ndërtesat me rrezikshmëri të lartë.
Gjithashtu, një ndihmë të pakursyer dhanë edhe krye bashkiakët dhe paralelisht me këtë proces janë zhvilluar dhe 4 anketa në të 3 qarqet për të evidentuar pasojat socio-ekonomike të familjeve dhe bizneseve. Ekspertët që janë angazhuar në këtë proces, në bazë të metodologjisë së gjithëpranuar, kanë vlerësuar dëme dhe humbje në shumën prej 985,074,906 Euro.
Dokumenti do të shërbeje si udhërrëfyes për Programin e Rindërtimit. Unë gjej rastin këtu të falenderoj në mënyrë të veçantë të gjithë ekipin e ekspertëve që kanë punuar për këtë raport pa të cilin ne nuk mund të shkonim në konferencën e donatorëve më 17 shkurt në Bruksel.
Sot kemi një dokument të plotë, që adreson të gjitha nevojat që ka Shqipëria për rimëkëmbjen pas katastrofës natyrore të 26 nëntorit. Qeveria shqiptare do të udhëheqë dhe zbatojë programin e madh të rindërtimit, i cili sigurisht kërkon bashkëpunimin dhe një qasje aktive të qytetarëve.
Deri më tani kemi miratuar një fond për këtë program, si dhe 18 zona të reja ndërtimore në qarqet e prekura nga tërmeti. Ky program është një sipërmarrje e madhe.
Për të përmbushur të gjitha nevojat dhe për të adresuar çdo problematikë, si dhe rreziqet e katastrofave natyrore në të ardhmen, kërkohet një mobilizim i përbashkët i burimeve financiare. Unë besoj se kjo do të ndodhë në Konferencën e Donatorëve të BE-së. /abcnews.al