Humbja 2-0 me Tottenham është përjetuar keq te Manchester City. Diferenca me Liverpoolin kryesues ka shkuar 22 pikë dhe Fernandinho ka ngritur zërin për paraqitjet e ekipit. Në një prononcim për ESPN, mesfushori brazilian thekson se City rrezikon pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm, edhe pse diferenca me vendin e pestë që mbahet nga Tottenham është 14 pikë
“Humbja me Tottenham ishte e dhimbshme, sidomos për mënyrën se si luajtëm. Krijuam shumë raste, por nuk arritëm të shënonim. Diçka duhet të ndryshojë, nuk mund të vazhdojmë të luajmë në këtë mënyrë.
Duhet të tregohemi të kujdesshëm në vijim. Rrezikojmë të humbasim të tjera pikë dhe vendin e dytë. Mund të përfundojmë edhe jashtë katërshes që të kualifikon në Champions. Shpresoj që tifozët të na qëndrojnë afër, kemi shumë nevojë për mbështetjen e tyre“, deklaron Fernandinho. /abcnews.al