Pritja dhe ankthi i Manchester City dhe tifozëve të tij për të mësuar penalizimet dhe dënimet do të zgjasë deri në janar.
Tashmë ka një datë thuajse zyrtare, për t’i dhënë fund çështjes që ka tronditur futbollin anglez dhe mbi të gjitha “Cityzens”, të shpallur fajtorë për shkelje të rënda të rregulloreve financiare të Premier Ligës. Media në vend citojnë David Kogan, kreun të Organit të Pavarur Rregullator të Futbollit. Sipas tij, procedurat pritet të shqyrtohen nga mesi deri në fund të janarit. “Premier Liga dëshiron që çështja të zgjidhet brenda sezonit aktual,” shpjegoi ai për “TheTimes”, duke theksuar se vendimi do të merret nga një komision i pavarur, i përbërë nga tre ish-gjyqtarë. Kogan deklaroi gjithashtu se është i gatshëm të japë dorëheqjen nëse do të ketë ndërhyrje politike në punën e organit rregullator.
“Ne do të arrijmë në një vendim bazuar në prova,” siguroi ai, duke mohuar ndikimin politik, që ka dalë të pah pas zbulimit të raporteve mes drejtuesëve të City dhe kryeministrit britanik, Andy Burnham. Ky i fundit u detyrua të sqaronte se kishte patur vetëm një takim zyrtar. Megjithatë, informacione të bëra publike më vonë zbuluan një rrjet më të gjerë kontaktesh, të paktën gjashtë raste, duke përfshirë takime, biseda dhe angazhime të lidhura me vizita zyrtare jashtë vendit. Regjistri i interesave përfshinte gjithashtu mikpritje dhe bileta të ofruara nga klubi si dhe darka në stadium dhe një koncert të Ed Sheeran.
Ndërkohë, Manchester City këmbëngul se ka argumente të forta për të rrëzuar vendimin. Një komision i pavarur e kishte shpallur më parë klubin fajtor për shkelje që përfshijnë periudhën 2009–2018 — një çështje që konsiderohet si një nga skandalet më të mëdha financiare në historinë e sportit britanik. Akuzat e konfirmuara sugjerojnë se llogaritë e klubit janë manipuluar përmes marrëveshjeve fiktive, me një vlerë totale prej rreth 900 milionë paundësh gjatë nëntë sezoneve. Sanksionet e mundshme përfshijnë heqjen e pikëve, gjoba të rënda, përjashtimin nga Premier Liga dhe heqjen e titujve. Por, për të mësuar se cili do të jetë dënimi që do të vuajnë, te Manchester City duhet të presin deri në janar./abcnews.al


