“Rrezik për shëndetin”, kompania e palicensuar bën asgjesimin e mbetjeve spitalore

schedule14:15 - 3 Shkurt, 2020

schedule 14:15 - 3 Shkurt, 2020

Spitali i Durrësit transportin dhe asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore për mjedisin dhe shëndetin e njerëzve, të paktën deri në muajin maj të këtij viti, duket se ja ka besuar MEDI –TEL shpk.

Kjo kompani që ushtron aktivitetin e saj në fshatin Mëzez të Tiranës merr përsipër të transportojë dhe asgjësojë përmes diegjes pjesë të trupit dhe organeve, qese dhe konservues gjaku, medikamente citostatikë dhe citotoksikë. Kompania nuk eshtë e pajisur me leje mjedisore te tipit A për incenerimin e mbetjeve të rrezikshme.

Pavarësisht këtij fakti vetëm në një prej buletineve të Agjencisë së Prokurimeve Publike të janarit të këtij viti publikohen tre kontrata lidhur mes MEDI-TEL dhe spitalit të Durrësit. Përkatësisht më 20 maj, 6 gusht dhe 5 dhjetor të vitit të shkuar. Në dokument saktësohet se kontrata bazohet në një marrëveshje nënshkruar mes spitalit rajonal dhe kompanisë private më 14 maj të vitit 2019. Kushtet sipas kësaj marrëveshje janë përcaktuar me afat 12 muaj dhe vlerë totale shtatë milion e shatëqind e nëntëdhjetë mijë lekë pa TVSH, vetëm për nevojat e vitit 2019. Ndonëse MEDI-TEL nuk ka të përfshirë në lejen që disponon asnjë prej kodeve të parashikuara në  Kodin Europian të Mbetjeve miratuar nga qeveria në vitin 2005 spitali i Durrësit e ka një ndër kompanitë e preferuara për asgjësimin e mbetjeve.

Përpara një situate të tillë lind pyetja: ka bërë spitali i Durrësit verifikimet e nevojshme përpara se ti besonte një proces me rrezikshmëri për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve, kësaj kompanie?  Apo po shkel qëllimisht ligjin dhe po promovon një biznes të palicensuar për këtë qëllim?/abcnews.al