VIDEO/ Kurti dhe Mustafa flasin për marrëveshjen që u finalizua pas 4 muajsh

schedule17:39 - 2 Shkurt, 2020

schedule 17:39 - 2 Shkurt, 2020

Qeveria e re  “Kurti” pritet të votohet nesër në Parlamentin e Kosovës. Pas 4 muajsh negociata, Vetëvendosje hoqi dorë nga posti i kryeparlamentarit, ndërsa LDK-ja nga kërkesa për marrëveshje për çështjen e Presidentit. Albin Kurti dhe Isa Mustafa treguan detajet në një konferencë për mediat. 

Gazetarja Blerta Dalloshi Berisha raporton se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës zyrtarisht kanë konfirmuar se janë pajtuar për bashkëqeverisje në 4 vitet e ardhshme.

Krerët e të dyja partive Albin Kurti e Isa Mustafa në një konferencë të përbashkët për media thanë se kjo marrëveshje është në dobi të Kosovës.

Albin Kurti: U takuam dhe u dakorduam që të takohemi edhe nesër që ta zgjedhim qeverinë e re. Ne tashmë e kemi nënshkruar marrëveshjen e jemi marrë vesh për të gjitha, edhe për ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverise së re.

Isa Mustafa: Besojmë se është një marrëveshje e mirë. Në interes të ndryshimeve që duhet të ndodhin në vendin tonë. Kemi ardhur bashkarisht në një zgjidhje të cilën e vlerësojmë se është zgjidhja e duhur për Republikën e Kosovës.

Sa i përket postit të Kryeparlamentarit, Kurti tha se Glauk Konjufca nuk do të jap dorëheqje por do të vijë në ekzekutiv. Ndërsa, nesër VV do të propozojë një emër të LDK-së për kryetar të Kuvendit.

Kurse, Mustafa tha se janë pajtuar që posti i Presidentit mos të jetë pjesë e kësaj marrëveshje.

Qeveria Kurti do të ketë 15 ministri dhe 33 zëvendësministra.

“Këshilli Drejtues i Lidhjes Demokratike të Kosovës njëzëri i ka thënë po koalicionit me Vetëvendosjen. Edhe Lëvizja Vetëvendosje organizoi referendum për të marrë aprovimin e koalicionit me LDK-në”, theksoi Kurti.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të votojnë të hënën qeverinë “Kurti”, dy ditë pa u bërë 4 muaj nga zgjedhjet e parakoshme në Kosovë./abcnews.al