Superiorja është pushim sot, por luhet futboll edhe në Kategorinë e Parë. Në Grupin A, Besëlidhja ka mundësinë të ngushtojë diferencën me Kastriotin, që sot nuk luan për shkak se në program kishte përballjen me Shkumbinin e përjashtuar nga gara.
Lezhjanët do tentojnë të marrin pikët maksimale ndaj Tërbunit dhe morali është shumë i lartë në skuadrën e drejtuar nga Elvis Plori, pasi në mesjavë mposhtën Partizanin në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë.
Në program për sot në këtë grup janë edhe dy përballje të tjera. Në Peshkopi luhet një ndeshje mjaft interesante, teksa Korabi pret Burrelin e mbetur pa trajner pas largimit të Alert Alcanit. Takimi tjetër i kësaj jave është ai mes Egnatias dhe Veleçikut. Vendasit janë të detyruar të marrin maksimumin në këtë përballje shtëpiake.
GRUPI B – Kreu mund të ndryshojë në këtë grup, duke parë kalendarin e përballjeve të dy ekipeve që renditen në vendin e parë. Pogradeci ka mundësinë të rikthehet i pari dhe për këtë duhet të mundë Elbasanin e vendit të fundit, por nuk varet gjithçka prej tyre.
Sytë janë nga Orikumi, aty ku vendasit presin Lushnjën kryesuese. Për skuadrën verdhejeshile ky është një test force dhe një fitore do të kishte shumë vlera, pasi Oriku ka treguar se është një “kockë” e fortë ndaj çdo ekipi, sidomos në ndeshjet brenda.
Besa do kërkojë të ruajë hapin e ekipeve të kreut dhe kjo arrihet duke mundur Ilirinë, një detyrë shtëpi për kavajasit e përforcuar në sulm. Takimi tjetër në këtë grup zhvillohet në Bilisht, aty ku Devolli pret skuadrën e Turbinës së Cërrikut. /abcnews.al