Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se qeveria e tij do të përmbushë detyrimet ndërkombëtare sa i përket Gjykatës Speciale. Në një intervistë për një emsion të Dojçe veles, ai thotë se lufta e Uçk-së ishte e pastër.
Gjatë një interviste për Dojçe Vele, në emisionin “Zona e Konfliktit”, me gazetarin e njohur Tim Sebastian, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Prishtina do t’i përmbushë obligimet, duke përfshirë edhe Gjykatën Speciale. “Kosova i ka përmbushur obligimet e saja sa i përket ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Nuk ka dyshim që Kosova do t’i kryejë këto obligime ndërkombëtare”, nënvizoi shefi i qeverisë. Lidhur me këtë çështje, Haradinaj shprehu shqetësimin e tij për njëanshmërinë e Gjykatës Speciale.
“Është një shqetësim që lidhet me Gjykatën Speciale, dhe disa persona këtu e konsiderojnë si të padrejtë ngaqë ka qasje selektive ndaj krimeve. Kjo gjykatë fokusohet në ngjarje të veçanta të luftës, kështu që supozohet që i drejtohet vetëm një etnie”.
Sipas Haradinaj, në Kosovë nuk ekziston frikë nga akuzat potenciale të Gjykatës Speciale. Ai pohon se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, dhe se këtë e ka dëshmuar edhe në proceset gjyqësore ndërkombëtare. Lidhur me akuzat për krime lufte ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, kryeministri vlerësoi se ngjarjet nuk duhet të përgjithësohen dhe se ka ekzistuar një “kod lufte” i cili është respektuar. “Lufta për liri nuk ka qenë zgjedhje, ne nuk kemi pasur zgjidhje. Kemi mbrojtur veten, kemi luftuar për lirinë tonë dhe jam krenar për këtë”, shoton shefi I qeverisë së Kosovës./abcnews.al