Presidenti i Bayern Munchen, Karl-Heinz Rummenigge, e konsideron Manuel Neuer si portierin më të mirë të historisë së futbollit. Numri 2 i bavarezëve e krahason gjermanin me disa nga portierët më të mirë në vite si dhe e vlerëson për arritjet e tij.
“Unë i kam parë të gjithë: Sepp Maier, Oliver Kahn dhe tani Manu. Kam shumë respekt për Sepp dhe Olin, pasi që të dy kanë qenë lojtarë të klasit botëror. Por, ajo çfarë Neuer ka bërë është diçka tjetër. Ai e çoi rolin e portierit në një nivel tjetër. Manu është portieri më i mirë që bota ka pasur në historinë e saj”, tregon Rummenigge.
Kontrata e 33-vjeçarit me gjigantët gjermanë përfundon në vitin 2021, por presidenti është i bindur se ai do të rinovojë. “Ne e dimë vlerën e tij. Kjo nuk ka nevojë për diskutime. Unë kërkoj mirëkuptimin tuaj, pasi fillimisht duhet diskutuar me lojtarin dhe agjentin e tij,” deklaron CEO i Bayernit për mediat gjermane. /abcnews.al