Bruksel, Basha takon drejtues të PPE: BE e shqetësuar për kapjen e drejtësisë

schedule15:17 - 30 Janar, 2018

schedule 15:17 - 30 Janar, 2018

Bashkimi Evropian është i shqetësuar për ngecjen e Reformës në Drejtësi dhe për kapjen e  drejtësisë në Shqipëri. Kështu deklaron kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pas takimeve që ka zhvilluar ne Bruksel, me drejtues të të Partisë Popullore.

Jehona e protestës së 27 janaritpër një drejtësi të kapur politikisht ka shkuar deri në Bruksel. Këtë e konfirmon kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pas bisedave që ka zhvilluar me drejtuesit më të lartë të Partisë Popullore Europiane.

 

“Duket qartë se zëri i shqiptarëve të bashkuar më 27 janar kumbon fuqishëm edhe këtu në Bruksel në zemrën e Bashkimit Europian, në institucionet e Bashkimit Europian dhe në Parlamentin Europian. Ka një shqetësim të jashtëzakonshëm të institucioneve europiane dhe të përfaqësuesve të vendeve anëtare për ngecjen e reformës në drejtësi dhe për kapjen e  drejtësisë, e cila mishërohet nga rasti “Tahiri,”-tha Basha.

 

Kreu demokrat pati takime me Presidentin Joseph Daul, me zëvendëspresidentin dhe njëkohësisht Kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian David Mcallister, me komisionerin Hahn, me Kryetarin e Komisionit të Çështjeve Europiane në Bundestag Gunther Krichbaum, Kryetarin e grupit parlamentar të PPE Manfred Ëeber. Sipas kryetarit të opozitës shqetësimi kryesor që iu përcoll prej tyre janë hapat e hedhur nga Edi Rama për kapjen e drejtësisë dhe devijimin e reformës në drejtësi, me qëllim kontrollin politik të drejtësisë për të mbyllur dosjen “Tahiri” dhe të tjera hetime kyçe për luftën kundër krimit te organizuar, trafikut të drogës dhe korrupsionit qeveritar.

“Dhe unë nuk kam pikë dyshimi se partnerët e kanë kuptuar që, përtej fjalëve të bukura, propagandës, Edi Rama, përfaqëson atë që këta  tani e masin vetë pas 5 vitesh të tij në pushtet, më shumë drogë eksportohet prej tij, më shumë krim eksportohet nga Shqipëria drejt Europës prej tij dhe më shumë emigracion i paligjshëm. Ky është produkti i Edi Ramës në raport me Europën”-tha Basha.

 

Gjatë takimeve në Bruksel, kreu i opozitës rikonfirmoi se opozita mbështet plotësisht çeljen e negociatave të anëtarësimit mbi bazën e meritës. Basha theksoi se ky proces po dëmtohet nga mosplotësimi i kritereve kyçe.

“Nëse kjo është vetëm çështje e vullnetit politik, për t’i çuar gjërat përpara, atëherë ne do të insistonim që me vullnet politik Shqipërisë t’i hapen negociatat, pavarësisht se kemi të bëjmë me një qeveri të dështuar në të 5 prioritetet, por ne e dimë fare mirë se nuk është thjesht dhe vetëm çështje e vullnetit politik, se shumë vende anëtare dhe institucionet e konsiderojnë këtë në vetvete një proces për të nxitur reformat. Dhe të gjithë janë të shqetësuar se reformat jo vetëm nuk po ecin, por po shkojnë mbrapa, siç është rasti i reformës në drejtësi, kur shpërfillen rekomandimet e ONM, pse, për të kapur KLGJ, për të kapur KLP, që nesër të kontrollohet SPAK-u për të njëjtat arsye që po ndryshon Rregulloren e Parlamentit: që asnjë politikan i inkriminuar të mos shkojë para drejtësisë, por të mbrohet siç po mbrohet Saimir Tahiri“./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!