Atletico Madrid pësoi një eliminim të turpshëm nga Kupa e Mbretit. Ekipi i Simeones u mund 2-1 pas shtesave nga Leonesa, ekip që garon në divizionin e tretë të futbollit iberik.
Trajneri argjentinas nuk kërkon alibi dhe merr përsipër fajin e kësaj paraqitje të shëmtuar të ekipit të tij. Simeone analizon ndeshjen, thekson se cikli i Atleticos nuk është mbyllur ende dhe konfirmon besimin e verbër te djemtë e tij.
“Përgjegjësia e kësaj humbje është e imja. Nuk duhet të kishte ndodhur kjo gjë. Nuk luajtëm më cinizmin e duhur, ndërsa kundërshtarët u treguan ambiciozë dhe luajtëm me dëshirë për të siguruar një rezultat historik. I përgëzoj, teksa ne duhet të shohim veten në sy pas kësaj disfate.
Kemi përjetuar shpeshherë momente të komplikuara. Humbjet nuk më kanë ndryshuar kurrë, vetëm më ndihmojnë për t’u përmirësuar. Kam besim të madh te lojtarët e mi. Kam një kontingjent të rëndësishëm dhe rezultatet pozitive do të vijnë“, përfundon Diego Simeone. /abcnews.al