I dërguari special amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, është takuar me presidentin serb Aleksandër Vuçiç në Serbi. Grenell tha në një konferencë të përbashkët shtypi me Vuçiç pas takimit se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nëse Prishtina dhe Beogradi nuk do të ulen dhe nuk do të lëvizin drejt një marrëveshjeje.
Ai theksoi se palët duhet ti thonë çfarë mendojnë dhe çfarë duan dhe SHBA-të do të bëjnë gjithçka për të tejkaluar atë që të gjithë e shohin si një konflikt. “Nëse dy palët nuk lëvizin dhe arrijnë një marrëveshje, në do të tërhiqemi”, ka thënë Grenell. Grenell ka theksuar se taksa e qeverisë Haradinaj është e papranueshme dhe duhet të hiqet, po kështu, duhet të ndalet fushata e Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Presidenti serb Vuçiç reagoi duke thënë se nuk e pranon shenjën e barazisë midis tërheqjes së njohjes dhe tarifave të Prishtinës. Vuçiç ka folur rreth mundësisë së arritjes së një marrëveshje finale dhe nëse një marrëveshje e tillë do t’i siguronte Serbisë integrim në Bashkimin Europian.
Vuçiç ka thënë se të njejtën pyetje ia ka bërë edhe zyrtarëve të ndryshëm të BE’së dhe gjithashtu edhe Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, por thotë se nuk ka marrë kurrfarë përgjigje. Vuçiç tha se i ka pyetur ata nëse një marrëveshje me Prishtinën, një zgjidhje kompromisi, a do të ishte e mjaftueshme që Serbia të anëtarësohet në BE, dhe asnjë, as nga BE-ja e as nga SHBA’ja, nuk mund ta konfirmonin që Serbia do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. “Jemi duke pritur një vendim të BE-së, nëse duan që Serbia të jetë pjesë e BE-së apo jo”, ka thënë Vuçiç. Vuçiç tha gjithashtu se kanë biseduar me Grenell edhe për linjën hekurudhore Kosovë-Serbi, e cila kalon në destinacionet Fushë Kosovë- Mitrovicë- Nish- Beograd. Grenell tha se për marrëveshjen për linjë të hekurudhave midis Kosovës dhe Serbisë ka një marrëveshje në parim./abcnews.al