Partizani nuk i ndahet të rinjve dhe një nga arsyet pse presidenti Gazment Demi zgjodhi Adolfo Sormanin për pankinën është pikërisht që të evidentohen sa më shumë lojtarë premtues dhe të zhvillohen. Kjo ndodh duke i aktivizuar dhe italiani e ka dhënë sinjalin e parë
Kundër Skënderbeut nga minuta e parë u aktivizua mesfushori Besnik Ferati, të cilin në klubin e kuq as që e kishin federuar në pjesën e parë të sezonit. Lëvizja e fundit është afrimi i një tjetër lojtari premtues, i cili sivjet po paraqitet shumë mirë në Kategorinë e Parë.
Bëhet fjalë për sulmuesin Tedi Cara, i cili është pjesë e klubit të Besës. Futbollisti që mbush 20 vjeç në muajin prill është vënë në urdhrat e Sormanit dhe ky i fundit do ta shohë me vëmendje këto ditë.
Cara mund të luajë në krahët e sulmit dhe si sulmues i dytë dhe është pjesë e Shqipërisë U20. Këtë sezon me Besën ka shënuar tetë gola në Kategorinë e Parë dhe më mirë se ai ka bërë vetëm Mikel Canka. /abcnews.al