Portrete njerëzore, festa dhe gëzime familjare të stilit të jetës në vitet 20-30 vjen e prezantuar në ekspozitën “Dje si Sot” në ambientet e kalas së Tiranës.
Kjo është vetëm maja e ajsbergut e fotove të shkrepura nga fotografët e njohur të qytetit të Korçës, Vani Burda dhe Thimi Raçi.
Në fotot e tyre pasqyrohet jeta e përditshme e qytetit, por edhe larmia e kostumeve etnografike, të cilat mbarten nga njerëzit e kohës.
Këta njerëz të thjeshtë, krahas vështirësisë dhe varfërisë së kohës, përcjellin edhe elemente të veçanta estetike dhe qytetari, përmes ceremonive të ndryshme familjare.
Drejtori i arkivit Ardit Bido, thotë se fototeka e pasur me mbi 9 mijë negativë së shpejti do të jetë e aksesueshme online për publikun e gjerë, madje fotot edhe mund të blihen 1 mijë lekë copa.
Fotografitë paraqesin portrete dhe aspekte të jetës urbane dhe suburbane të krahinës së Korçës fiksuar në negativë xhami, të panjohura për publikun. Kjo ekspozitë vjen si bashkëpunim me Kalanë e Tiranës dhe Muzeun kombëtar të Fotografisë “Marubi”./abcnews.al