“Ku janë 600 milion sterlinat?! Fëmijët nuk e veshin më fanellën e United!”

schedule09:03 - 23 Janar, 2020

schedule 09:03 - 23 Janar, 2020

Rio Ferdinand nuk duron më. Humbja e Manchester United në shtëpi me Burnley e ka bërë atë të ndihet keq, por më së shumti fakti që nuk di të thotë se kur “Djajtë e kuq” do të jenë sërish rivalizues me klubet e tjera në Premier League dhe Europë. Keqardhja është e madhe, duke parë që edhe klubi ka shpenzuar shifra të mëdha në merkato.

“Ju thatë që janë shpenzuar 600 milionë sterlina në skuadër, por unë nuk i shoh. Në çfarë janë shpenzuar? Unë nuk i shoh në fushë ato shpenzime. Nuk i shoh ata para, përforcimet, çfarë është blerë. Nuk ka asgjë aty që më thotë mua se është diçka që garanton themelet për të ardhmen”, shprehet Ferdinand në BT Sport.

“Jam i ulur këtu dhe nëse jam i sinqertë,  jam i turpëruar. Është e turpshme të jesh këtu, jo vetëm prej paraqitjes së skuadrës, por edhe prej faktit që nuk e di se çfarë do të ndodhë më pas. Nuk shoh shteg, nuk shoh një objektiv të vendosur dhe të thuhet se duam të arrijmë këtu, apo aty”, shtoi ish-mbrojtësi, i cili nuk sheh dritë në fund të tunelit.

Ferdinand vijon me analizën e tij: “Ta lëmë mënjanë rezultatin dhe të flasim për ndërtimin e një skuadre, për themelet që duhet të vendosen që kjo skuadër të ecë përpara dhe në një moment të bëhet sfiduese. Nuk them menjëherë, të jemi realistë, por ndoshta për disa vite të ndërtohet ajo skuadër. Por paratë janë shpenzuar pa dëshirë në shtatë vitet e fundit. Nuk mund ta mbrosh dot këtë”.

“Fëmijët e vegjël në shkollat përreth vendit nuk do të veshin më fanellën të Manchester United. Ata nuk do të duan të vijnë këtu dhe të mbështetin United, bazuar në atë që po shihni në fushë. Tifozët po largohen pas minutës së 84-t dhe është një turp. Njerëzit në krye të klubit duhet ta shikojnë këtë dhe të bëjnë me të vërtetë ndryshime”, ka deklaruar legjenda e klubit anglez. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!