Katër fitore radhazi, Emanuel Egbo vazhdon të jetë i suksesshëm me Tiranën. Sot, bardheblutë fituan në sekondat e fundit 2-1 kundër Bylisit dhe pas ndeshjes, Egbo foli për Supersport, ku u shpreh:
REZULTATI – “Tirana fitoi sot, sepse ka besuar deri në momentet e fundit, duke vazhduar me presing lart, sidomos kur Bylisi u ndëshkua me karton të kuq”.
GOLI I NGOO – “Nuk e shoh qartë, ka qenë rrëmujë aty në zonë. Nuk e di nëse e ka prekur me dorë lojtari i Tiranës apo i Bylisit, por më shumë e ka prekur me dorë lojtari i Ballshit. Për mua, është gol i rregullt”.
PENALLTIA – “Kur mbaroi pjesa e parë, iu kërkova djemve të mos e lëshojnë lojën dhe të luajnë si në pjesën e parë, me intensitet të lartë. Njëherë që zbritëm poshtë, pësuam penallti. Një lojtar i Bylisit kundër katër lojtarëve tanë arriti të krosojë. Nuk e di nëse është prekje me dorë apo jo, nuk janë pamjet e qarta”.
KROSIMET – “Ndoshta ke qenë në studio, por ne në fushë e kemi kërkuar që të luajmë në krahët e sulmit, të krosojmë dhe të shfrytëzojmë shtatlartësinë e Ngoo. E kemi kërkuar nga lojtarët që të luajnë në sulm, por ata preferuan të qarkullonin topin në qendër”.
VANGJELI – “Vangjeli e kemi menduar si qendërmbrojtës, mendoj se nuk është mirë të ndryshoj ekipin fitues”.
OSMANI – “Osmani nuk është akoma në 100%, ai e di dhe vetë që ka pasur dhimbje në shpinë. Do të futet në kohën e duhur”.
MUÇI – “Muçi bëri ndeshje të mirë me Laçin, nuk dua të bëj polemika, por ai do të futet në kohën e duhur. Ai është pjesë e ekipit dhe ne kemi shumë besim në aftësitë e tij dhe do ta përdorim në kohën e duhur”.
ZËVENDËSIMET – “Nuk duhet të bëjmë zëvendësime thjesht për të thënë që bëjmë zëvendësime. Një lojtar që futet, do minimumi 5 minuta të futet në lojë. Të gjithë lojtarët që kishim në lojë, ishin të freskët deri në sekondat e fundit, prandaj bëmë vetëm një zëvendësim”.
FITORJA – “Zoti na ka ndihmuar të marrim këtë fitore, pa dashur të heq meritat e asnjë prej çunave”, përfundoi Egbo./abcnews.al