Pas daljes nga gjendja kritike për jetën, biznesmeni Petrit Laze, i cili bashkë me gruan dhe vajzën ranë pre e një grabitjeje të dielën në Allias, ka mundur të dëshmojë lidhur me ngjarjen. Para grupit hetimor, mësohet se Laze ka dëshmuar se autorët i kanë drejtuar armën në kokë, duke i kërkuar paratë.
“Dëgjova zhurmë te dera dhe dola për të parë. Pashë dy të rinj të gjatë të maskuar dhe veshur me kapota të gjata dhe të zeza. Njëri kishte pistolete në dorë ndërsa tjetri një armë tjetër më të gjatë. Më thanë ‘duam lekët’! Ku e keni kasafortën?”, ka rrëfyer në polici Petrit Laze. Në vijim të dëshmisë ai ka treguar se si dy autorët mbanin në duar një ngjitës natriban dhe u përpoqën ta lidhnin. “U përleshëm dhe më qëlluan. Pastaj qëlluan dhe Afërditën. Ne ulëritëm, kërkuam ndihmë dhe ata u larguan me vrap”, ka thënë biznesmeni Laze.
Dëshmi ka dhënë sërish edhe bashkëshortja e tij, Afërdita. Ajo ka thënë se autorët e kanë kapur vajzën e tyre nga flokët dhe e kanë larguar në dhomë. “Petriti ndodhej në dhomë në gjumë dhe kur ka dëgjuar krismën e armës ka dalë me vrap. Autorët i kanë drejtuar armën, duke i kërkuar çelësin e kasafortës. Petriti u hodh nga dritarja i plagosur ka marrë një levë dhe është ngjitur në banesë, por autorët pasi kishin kontrolluar banesën u larguan pa mundur të marrin gjë”, ka deklaruar Afërdita. /abcnews.al