Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e Astirit, ku mbeti i vrarë 28 vjeçari Vilson (Tafçiu) Noka, mbrëmjen e 20 janarit. “Nga provat e grumbulluara rezulton se si pasojë e një konflikti të çastit, shtetasi N. D., alias N. K., alias M.P., 29 vjeç, në orën 20:30 të mbrëmjes së datës 20 janar, në rrugën “Dhaskal Todri”, në Unazën e Re, ka qëlluar disa herë me armë zjarri duke vrarë shtetasin V. T.”, deklaroi policia.
Sic shihet në njoftimin e policisë, vrasësi mbante tre identitete, por burime të abcnews.al thanë se emri i parë i autorit është Noel Dishi nga Dibra, banues në Sukth. Gjithashtu mësohet se Dishi ka qenë i njohur me viktimën, ata kanë qenë bashkë në Francë dhe Zvicër. Ende nuk dihet motivi i vrasjes, por sa i përket viktimës, Vilson Noka (Tafciu) bëhet e ditur se ishte deportuar nga Franca pasi ishte kapur me drogë.
Njoftimi policisë:
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, po vijojnë intensivisht punën për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjeve të ndodhur në Allias dhe në Astir.
Si rezultat i punës profesionale, reagimit të menjëhershëm të strukturave të Policisë dhe bërjes së një sërë veprimesh proaktive, grupi i posaçëm hetimor ka mundur të dokumentojë me prova ligjore ngjarjen e ndodhur në orët e mbrëmjes së datës 20 janar 2020 në Astir, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 29-vjeçari V. T.
Bazuar në veprimet e kryera dhe provat e grumbulluara rezulton se si pasojë e një konflikti të çastit, shtetasi N. D., alias N. K., alias M.P., 29 vjeç, në orën 20:30 të mbrëmjes së datës 20 janar, në rrugën “Dhaskal Todri”, në Unazën e Re, ka qëlluar disa herë me armë zjarri duke vrarë shtetasin V. T.
Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim policor 29-vjeçarin dhe gjatë ditës së djeshme dhe mëngjesit të sotëm ka ushtruar një sërë kontrollesh në disa ambiente dhe terrrene, ku dyshohej se mund të fshihej 29-vjecari dhe vijon punën e pandërprerë për kapjen e tij.
Policia e Tiranës garanton qytetarët se është tërësisht e angazhuar për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmërinë, si dhe fton qytetarët për të bashkëpunuar më tej, në drejtim të krijimit të një ambienti sa më të sigurt./abcnews.al