Emanuel Egbo, trajneri i Tiranës, sot ka dalë para mediave dhe ka folur për ndeshjen e radhës me Bylisin. Bardheblutë e presin skuadrën ballshiote në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe nigeriani theksoi para gazetarëve se skuadra e tij ka ruajtur formën e javëve të fundit të kampionatit.
Më tej ai ka analizuar Bylisin: “Çdo ndeshje është e vështirë, nuk ka më ndeshje të lehta. Edhe ekipe e fundit të tabelës kanë interesat e veta, mundohen të tregojnë diçka. Nesër është një ndeshje direkte. Një fitore do të ishte shumë e mirë për ne”.
Egbo tregon edhe pikën e fortë të ballshiotëve: “Kam qenë pjesë e Bylisi dhe është një ekip që gjithmonë luan i bashkuar. Kanë çuna të rinj, të cilët duan të tregojnë se çfarë mund të bëjnë. Është një ekip shumë i fortë, si brenda edhe jashtë fushës së vet”.
MERKATO – “Ne e dimë që ekipi ka nevojë për përforcime, sidomos në mbrojtje. Klubi po punon dhe ka ende kohë deri në fund. Mendoj se do kemi një përforcim dhe atëherë ekipi është i kompletuar. A duan unë përforcime? Klubi po punon për këtë, nuk është se po rrinë duar kryq. Në janar është e vështirë që të gjesh një lojtar të mirë. Mund të ketë shumë të mirë, por jo për Tiranën”.
OBJEKTIVI DHE FORMACIONI – “Shpresojmë të marrim sa më shumë fitore, llogaritë bëhen në fund. Objektivi është t’i marrim ndeshjet një nga një. Këtë ka vendosur edhe klubi për ne. Ndryshimet në formacion? Mendoj se kemi pasur ndryshime në ekip dhe do të kemi edhe në vazhdim. Duam të vazhdojmë me ritmin që e lamë në fund të vitit të kaluar”.
DËMTIMET DHE RIVALËT – “Hasani mund të kthehet për një javë, ose një javë e gjysmë. Dunga ka kryer një operacion dhe mund të kthehet në shkurt. Gjici thotë që Tirana nuk është pretendente për titull? Nuk mund të merrem me ato që thotë presidenti i një klubi tjetër. Merrem vetëm me Tiranën, jo me të tjerët”, u shpreh Egbo. /abcnews.al