Mesazhet qeverisë protestuesit ja dërguan me zë edhe me figurë. Simbolika shoqëroi nga fillimi në fund protestën e opozitës këtë të shtunë.
U nisën për në Tiranë me Audin AA 003 GB.
Mbi targat e automjeteve të tyre protestuesit e opozitës simbolikisht vendosën ato të makinës që ish ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri iu shiti vëllezërve Habilaj.
Qëllimi thotë Partia Demokratike ishte të tregonin se kanabizimi i Shqipërisë ishte projekt politik i Edi Ramës, i cili sipas opozitës vazhdon të jetë përfituesi kryesor i trafikut ndërkombëtar të drogës dhe mbrojtësi i tyre nga drejtësia.
Mbishkrimet “Narkoshteti” dhe “Të paprekshmit” në Tiranë i zëvendesuan me pankarta.
Kryeministrin Rama e kurorëzuan mbretin e kanabisit. Gurë të çmuar për të ishin personazhe të njohura për drejtësinë.
Me pankarta në duar u nisën drejt “Dëshmorëve të Kombit”.
Nuk ndodhi njësoj me fotografinë e Ardit Gjoklajt që një grup të rinjsh të Partisë Demokratike shpalosën në sheshin “Skënderbej”
Portreti i 17 vjeçarit që u vra në landfillin e Sharrës u hoq nga policia bashkiake para fillimit të protestës.
Gjithesesi protestuesit vijuan të kërkonin drejtësi. Nuk lanë pas ironinë as me ministrat në qeveri.
Me parulla anglisht dhe shqip shoqëruan fjalimet përpara Kryeministrisë.
“Banditët në burg, jo në qeveri” ishte një nga sloganet kryesore të protestës që protestuesit ia lanë kryeministrit përpara selisë./abcnews.al