Analisti i njohur, Enver Bytyçi tha se Albin Kurti mund të dalë jashtë loje edhe pse LVV ka dalë parti e parë nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Negociatat e tij me Isa Mustafën duket se janë në ngërç përsa kohë nuk kanë arritur dakordësinë për formimin e qeverisë.
I ftuar në studion e Abc News, nga gazetari Endri Xhafo, pedagogu dhe analisti i çështjeve të rajonit, Enver Bytyçi tha se zgjedhjet e parakohshme janë opsionit i fundit për Kosovën. Sipas tij, nëse nuk gjendet zgjdhja mes LVV-LDK, mund të provohet koalicioni mes LDK dhe PDK, që drejtohet nga Kadri Veseli, por që qytetarët e njohin si “partia e Thaçit”.
“Nëse nuk arrin partia e parë të formojë koalicionin dhe të çojë emrin e mandatarit për Kryeministër në Presidencë, atëherë partia e dytë mund të nominojë kandidatin për Kryeministër. Është e përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës”, tha Bytyçi.
“LDK-ja e Isa Mustafës po shkon drejt një koalicioni me partinë e Hashim Thaçit, kjo përshtypje më krijohet mua, duke parë refuzimin e vazhdueshëm që i bën LDK-ja ofertës së Albin Kurtit. Intrigat e Isa Mustafës janë të dukshme në raport me Albin Kurtin”, shpjegoi më tej argumentat e tij Enver Bytyçi.
Më tej ai tha se LVV ka vetëm një gabim taktik, pasi ekspontentë të kësaj partie kanë folur në mënyrë të tepruar në media, ndërsa LDK-ja ka qenë më e kujdesshme së paku në publik. /abcnews.al