Ditë decizive për merkaton e Interit. Zikaltrit po kërkojnë një mbrojtës të majtë, një mesfushor dhe një sulmues. Klubi italian u interesua për Kurzawën e PSG-së, por francezi shpreson të transferohet në Premier League. Inter ka ndryshuar objektiv dhe po mendon një shkëmbim me Romën.
Matteo Politano pritet të transferohet në Romë për të zëvendësuar Zaniolon e dëmtuar, ndërsa nën urdhrat e Antonio Contes do të vihet Leonardo Spinazzola, i cili aktivizohet në krahun e majtë të mbrojtjes. Të dy skuadrat përfitojnë nga ky shkëmbim dhe akordi final do të konkretizohet ditën e sotme sipas medieve italiane.
Në mesfushë po punohet për Christian Eriksen, ndërsa në sulm pritet Oliver Giroud. Jo vetëm kaq, pasi në verë do të vijë një tjetër sulmues i njohur. Në emisionin Tiki Taka, gazetari Carlo Pellegatti zbuloi se Dries Mertens do të zbarkojë në Milanon zikaltër në fund të sezonit.
Belgu i Napolit, ekip me të cilin i përfundon kontrata në verë, ka refuzuar ofertat nga Premier League. Agjenti i tij ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e Interit dhe do të vijë me parametra zero në fund të sezonit. /abcnews.al