Zbulimi shkencor: Ministri britanik e ka prejardhjen nga një mumje

schedule21:41 - 25 Janar, 2018

schedule 21:41 - 25 Janar, 2018

Ministri i Jashtëm britanik e ka prejardhjen nga një mumje. Kështu sugjeron një studim i disa shkencëtarëve zviceranë, të cilët kanë analizuar ADN-në e mumjes me ato të pasardhësve të saj, duke rënë në gjurmët e Boris Johnson.

Një grup shkencëtarësh në Bazel të Zvicrës ka hedhur dritë mbi misterin që mbulonte identitetin e një mumjeje të gjetur disa dekada më parë. Por rezultati i studimit të shkencëtarëve ka qenë surprizë: gruaja ka rezultuar stërgjyshja e shtatë e ministrit të Jashtëm të Britanisë, Boris Johnson.

Mumja u gjet në vitin 1975 në një kishë të Bazelit, e cila po restaurohej. Ajo ishte varrosur përballë altarit, mbante unazë dhe veshje cilësore dhe dyshohet që të ketë qenë një zonjë e pasur vendase. Por cila është ajo në të vërtetë? Pasi kanë analizuar modelin e rrobave që mbante veshur, drurin e arkivolit dhe objekte të tjera të gjetura, shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se bëhet fjalë për Anna Catharina Bischoff, anëtare e një familjeje të pasur që ka jetuar në shekullin XVII.

Më pas, pasi kanë arritur të nxjerrin material ADN-je nga këmba e mumjes, shkencëtarët i kanë krahasuar kampionet me ato të pasardhësve të zonjës Bischoff. Ajo kishte 7 fëmijë, vetëm 2 prej të cilëve i mbijetuan fëmijërisë. Një vajzë e saj, e quajtur po ashtu Anna, u martua me Christian Pfeffel von Kriegelstein. Pesë breza më vonë, Marie Luise von Pfeffel u martua me Stanley Fred Williams. Vajza e çiftit lidhi kurorë me Osman Wilfred Johnson Kemal dhe djali i tyre, Stanley Johnson, është babai i sekretarit të Punëve të Jashtme të Britanisë, Boris Johnson. Nga ky i fundit për momentin nuk ka patur një reagim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!