Një anije tregtare me flamur të Palaut është vënë në shënjestër të forcave amerikane pasi tentoi të kalonte bllokadën detare të vendosur nga Uashingtoni ndaj porteve të Iranit.
Sipas njoftimit të ushtrisë amerikane, incidenti ndodhi të enjten, kur një avion ushtarak goditi me municione precize pjesën e pasme të anijes “Pacific Archer”, duke i shkaktuar dëme që çuan në ndalimin e motorit.
Autoritetet amerikane bëjnë me dije se ndërhyrja nuk shkaktoi viktima apo të lënduar mes anëtarëve të ekuipazhit civil.
Nga të dhënat e publikuara nga ushtria amerikane, “Pacific Archer” ishte nisur nga porti iranian i Bandar Abbasit, në Ngushticën e Hormuzit, dhe po lundronte drejt Gjirit të Omanit, kur u përball me ndërhyrjen e forcave amerikane.
Komanda Qendrore e SHBA-së theksoi se operacionet për zbatimin e bllokadës vijojnë pa ndërprerje. Sipas bilancit të saj, deri më tani janë neutralizuar gjashtë anije, ndërsa 158 të tjera janë detyruar të ndryshojnë itinerarin.
Bllokada amerikane është në fuqi që prej mesit të korrikut, pas dështimit të një marrëveshjeje të përkohshme mes Uashingtonit dhe Teheranit. Ndërkohë, edhe Irani vazhdon të mbajë kufizime ndaj lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Gjatë javëve të fundit, autoritetet iraniane kanë raportuar për incidente me anije që kanë marrë flakë gjatë përpjekjeve për të kaluar nëpër korridore detare të cilat Teherani i konsideron të ndaluara.
Qëndrimi i Iranit ndaj bllokadës amerikane është bërë edhe më i ashpër. Të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baqaei, deklaroi se vendi do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë në dispozicion për t’iu përgjigjur masave të ndërmarra nga Uashingtoni.
Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund krizës mbeten në vendnumëro. Përplasjet nisën në shkurt, pas sulmeve të ndërmarra nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit, duke përshkallëzuar tensionet në rajon.
Teherani ka deklaruar se është i gatshëm të lejojë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda 48 orëve, nëse pala amerikane pranon kushtet e tij, ku një nga kërkesat kryesore është edhe heqja e bllokadës detare.


