Në Hoçisht të Devollit, mes mureve të një banese historike, ruhet një pjesë e rëndësishme e kujtesës patriotike shqiptare. Është shtëpia e Jovan dhe Marigo Posios, familjes që lidhi emrin e saj me një prej momenteve më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Marigo Posio, e njohur si gruaja që qëndisi flamurin e Pavarësisë, nuk ishte vetëm një simbol i 28 Nëntorit. Ajo ishte një grua e angazhuar në lëvizjen patriotike, në përhapjen e gjuhës shqipe, në arsimimin e vajzave dhe në emancipimin e gruas shqiptare.
Në ditët e Pavarësisë, shtëpia e saj në Vlorë u kthye në një punëtori flamujsh. Sipas dëshmive dhe dokumenteve, aty përgatiteshin flamuj të stampuar e të qëndisur me dorë, ndërsa prodhoheshin edhe qindra qeleshe lebër me shqiponjën dykrenare. Por historia e kësaj familjeje nuk përfundon me flamurin. Edhe bashkëshorti i saj, Jovan Posio, ishte një atdhetar i angazhuar në lëvizjen kombëtare dhe pjesë e fotografisë historike të Pavarësisë.
Sot, trashëgiminë e kësaj familjeje kërkon ta mbajë gjallë Violeta Pojani, pasardhëse e familjes Posio, e cila së bashku me bashkëshortin e saj ndërmori një mision të veçantë: kthimin e banesës historike në Hoçisht në një shtëpi muze. Një nismë që lindi nga dëshira për të mos lejuar që kujtimi i Marigos dhe Jovanit të mbetej vetëm një histori familjare, por të bëhej pjesë e kujtesës publike.
Në këtë banesë ruhen objekte, fotografi dhe dëshmi që ndihmojnë të kuptohet jeta dhe veprimtaria e dy patriotëve. Ndërkohë, në vitin 1914, Marigoja organizoi në Vlorë shoqërinë e grave, e njohur më vonë si “Shpresa Kombëtare”, duke u angazhuar edhe në veprimtarinë publicistike. Për Violeta Pojanin, hapja e shtëpisë muze nuk është thjesht një projekt restaurimi, por një amanet dhe përgjegjësi ndaj historisë. Ajo dëshiron që Hoçishti të kthehet në një destinacion kulturor, ku nxënës, studentë dhe vizitorë të zbulojnë një dimension më pak të njohur të historisë së Pavarësisë.
Sepse Marigo Posio nuk meriton të kujtohet vetëm për flamurin që lidhet me emrin e saj, por edhe për kontributin si patriote, veprimtare dhe grua me vizion. Dhe shtëpia muze në Hoçisht është një përpjekje për ta mbajtur këtë histori të gjallë, brez pas brezi./abcnews.al


