Duke filluar nga 1 janari 2027, në Gjermani pritet të hyjë në fuqi një sistem i ri për përcaktimin e çmimeve të benzinës dhe naftës. Qeveria federale po përgatit vendosjen e një tavani maksimal, me synimin për të parandaluar shtrenjtimet e tepruara në pompat e derivateve dhe për të mbrojtur konsumatorët nga kostot e larta.
Sipas të dhënave të publikuara nga Klubi Gjerman i Automobilave (ADAC), ky mekanizëm do të zëvendësojë lehtësimin e përkohshëm fiskal që aktualisht zbatohet për karburantet dhe që përfundon më 31 dhjetor 2026.
Aktualisht, taksa e energjisë për benzinën dhe naftën është ulur me 14 centë për litër. Kur llogaritet edhe ndikimi i TVSH-së, përfitimi për shoferët arrin rreth 17 centë për litër. Kjo lehtësi është e vlefshme vetëm deri në fund të këtij viti, transmeton Telegrafi.
Pas përfundimit të saj, autoritetet gjermane synojnë të kalojnë në një model të ri rregullimi të tregut. Sipas propozimit, operatorët e pikave të karburantit do të kenë të drejtë të caktojnë çmime më të ulëta, por nuk do të mund të tejkalojnë kufirin maksimal të vendosur nga shteti.
Për hartimin e këtij sistemi, Gjermania pritet të mbështetet në përvojën e Belgjikës dhe Luksemburgut, vende ku tashmë funksionojnë mekanizma të ngjashëm. Llogaritja e çmimit maksimal bëhet përmes një formule që përfshin disa faktorë, si çmimi i naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, kostot e rafinimit, transportit, magazinimit dhe taksat.
Pra, nuk bëhet fjalë për vendosjen e një çmimi të pandryshueshëm, siç do të ishte 1.80 euro për litër. Tavani do të përshtatet në mënyrë periodike, në varësi të lëvizjeve të kostove dhe situatës në tregjet globale.
Zbatimi i rregullave të reja do të jetë nën mbikëqyrjen e institucioneve përgjegjëse për konkurrencën në Gjermani. Kompanitë që nuk respektojnë kufirin e përcaktuar mund të përballen me sanksione.
Në fazën e parë, qeveria planifikon që ky mekanizëm të funksionojë për një periudhë tre mujore. Pas kësaj kohe do të analizohet ndikimi i tij dhe do të vendoset nëse është e nevojshme të vazhdojë. Ndërkohë, miratimi i projektligjit të rishikuar dhe rregullave zbatuese është planifikuar të shqyrtohet në mbledhjen e kabinetit qeveritar më 2 dhjetor 2026.
Megjithatë, sipas paralajmërimeve të ADAC-ut, vendosja e tavanit nuk nënkupton automatikisht se çmimet në pompa do të pësojnë ulje. Qëllimi kryesor është frenimi i rritjeve të pajustifikuara dhe kufizimi i fitimeve të tepërta të kompanive që operojnë në sektorin e karburanteve.
Në rast se shënohet rritje e çmimit të naftës bruto apo e kostove të përpunimit dhe transportit, edhe kufiri maksimal në Gjermani mund të rritet në përputhje me këto zhvillime. Për këtë arsye, ADAC vlerëson se ndikimi i masës në çmimet mesatare ditore mund të mos jetë shumë i madh.
Me këtë ndryshim, Gjermania synon të kalojë nga subvencionimi i përkohshëm përmes uljes së taksave në një sistem të drejtpërdrejtë të kontrollit të çmimeve. Synimi është krijimi i më shumë transparence në treg dhe parandalimi i shtrenjtimit të pajustifikuar të benzinës dhe naftës.



