Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, ka ripërsëritur akuzat për evazion fiskal ndaj bashkëshortit të deputetes socialiste Elisa Spiropali, duke e cilësuar rastin si një nga më të rëndët që ka hasur gjatë dy viteve në drejtimin e Administratës Tatimore.
Në një intervistë për emisionin “Real Story” në ABC News, Binaj deklaroi se një inspektor tatimor ka marrë mesazhe kërcënuese dhe se për këtë çështje ka bërë kallëzim që në muajin korrik.
Ai theksoi se vendimi për ta bërë publike çështjen erdhi pas, sipas tij, sulmeve ndaj Administratës Tatimore dhe punës së saj, ndërsa mohoi çdo ndikim apo presion nga eprorët në ushtrimin e detyrës.
Binaj u shpreh se qëndron plotësisht pas deklaratave të tij, duke nënvizuar se intensiteti i kërcënimeve ndaj inspektorit e bën këtë një nga rastet më serioze të hasura gjatë karrierës së tij drejtuese.
“Unë nuk jam i përfshirë, është vetëm një inspektor që ka marrë mesazhe kërcënuese dhe në korrik ka bërë kallëzim. Vendosa të bëja publike, por kjo nuk lidhet vetëm me faktin e evazionit, problemi im me deklaratën ishte se Administrata Tatimore u sulmua dy herë, e para me emërimin tim dhe e dyta me kontrollet që ne kryejmë.
Asnjëra nga këto nuk është e vërtetë. U sulmua Administrata Tatimore, prandaj dhe unë vendosa që ta bëj publike. Patjetër që unë i qëndroj deklaratës sime. Marrëdhënia ime është gjithnjë profesionale me eprorët e mi dhe nuk ka asnjë lloj influence apo presion lidhur me funksionet e mia. Është një ushtrim funksioni sipas rregullave që ka Administrata Tatimore.
Në funksionin tim prej dy vitesh unë mund të them se është rasti më i rëndë që unë kam hasur sa i takon kërcënimeve ndaj inspektorëve të mi. Ky është një nga rastet më të rënda që kam hasur, sa i takon kërcënimeve dhe intensitetit nga ana e bashkëshortit të zonjës Elisa Spiropali”, tha Binaj.



