Qeveria spanjolle në veprim për të ndaluar Puigdemont

schedule16:47 - 25 Janar, 2018

schedule 16:47 - 25 Janar, 2018

Qeveria spanjolle ka ndërmarrë hapin e parë për të parandaluar rizgjedhjen e ish-liderit të Katalonjës, Karles Puxhdemon në drejtim të rajonit të Spanjës. Kjo u bë e ditur nga zëvendëskryeministrja, Soraya Saenz de Santamaria, ndërsa tensione rriten ndërmjet Barcelonës dhe Madridit.

Puxhdemon po jeton në Bruksel, që prej arratjses në Tetor të vitit të kaluar për të shmangur arrestimin për akuzat e rebelimit dhe shpërdorimit të fondeve publike, pasi organizoi një referendum dhe shpalli pavarësinë e njëanshme të Katalonjës nga Spanja.

Kryetari i sapozgjedhur i Parlamentit të këtij rajoni, Roger Torrent, nominoi Puxhdemon të hënën, si kandidat të vetëm për t’u bërë përsëri president, duke anashkaluar paralajmërimet e qeverisë së Spanjës për një veprim të tillë. “Rrethanat e tanishme nuk lejojnë emërimin e tij”, tha zëvendëskryeministrja De Santamaria në një konferencë për media në Madrid duke nënvizuar faktin se në Spanjë rezulton një urdhërarrest kundër Puxhdemon.

Ajo njofton se qeveria i ka kërkuar Këshillit të Shtetit të vlerësojë mundësinë e apelimit në Gjykatën Kushtetuese kundër nominimit të Puxhdemon të bërë nga kryetari i parlamentit të Katalonjës.
“Nëse vlerësimi i Këshillit mbështet atë të qeverisë së Madridit, kërkesa e apelimit do të përpilohet menjëherë”, nënvizon zëvendëskryeministrja.
De Santamaria thekson më tej se nuk mund të nominohet dikush që nuk gëzon liri të plotë veprimi dhe lëvizje. Ajo përsërit se Puxhdemon do të arrestohet menjëherë nëse shkel në territorin e Spanjës. Ndërkohë, parlamenti i Katalonjës do të mbajë votimin e parë për zgjedhjen e liderit të ri rajonal jo më larg se 31 Janari./abcnews.al