TIRANË- Shqipëria është vlerësuar me notë maksimale për procesin e saj të negociatave për integrimin, nga Samiti i Zgjerimit në Bruksel. Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, tha se procesi është i pakthyeshëm dhe i përshpejtuar.
Marta Kos tha se BE-ja po e sheh sesi vende kandidate po pengohen dhe po sulmohen me dirigjente Rusinë, në rrugën e tyre europiane, por siguroi se tashmë për vende si Mali i Zi dhe Shqipëria, procesi është i pakthyeshëm.
Analisti Arben Meçe u shpreh në “Tirana Live” se për herë të parë një instancë kaq e lartë e Bashkimit Evropian, siç është Komisioni Evropian, po flet hapur për ndikim rus në Ballkanin Perëndimor.
“Për herë të parë, një instancë e lartë e BE-së, siç është Komisioni Evropian flet për ndikim rus. Rusët dhe Iranianët janë pjesë e luftës hibride. është sinjal i mirë, në kuptimi që ajo çështje që ne kemi trajtuar po evidentohet me zë dhe figurë nga BE dhe të shpallë alarmin për këtë situatë. Ndodhemi në kushtet e ndikimeve e linjave ruse në Ballkanin Perëndimor”, theksoi ai.
Një këngë serbe nostalgjike për Kosovën kthehet në një incident tipik ballkanik në Samitin Europian të Zgjerimit në Bruksel. Kënga theu protokollin dhe u shfaq në fillim të samitit, duke ngjallur reagim të ashpër nga Shqipëria dhe mediat shqiptare.
Marta Kos kërkoi ndjesë për incidentin, ndërsa Edi Rama kritikon Brukselin për hapësirat e sherreve mesjetare, siç i quajti ai. Ndërsa përsëriti thirrjen që Serbia të njohë Kosovën, nëse kërkon ende të anëtarësohet në BE.
Meçe u shpreh se kryeministri Edi Rama shprehet i bindur se destinacioni i Shqipërisë është Bashkimi Evropian. Lidhur me incidentin e këngës serbe, Meçe theksoi se ngjarje të tilla janë të papranuara për Bashkimin Evropian
“Rama është i bindur që Shqipëria do jetë në BE. Pritet të aplikohet një standard i ri për vendet kandidate. Ngjarja që ndodhi me muzikën, tregon se politika në zonën e Ballkanit Perëndimor është një politikë e mbarsur, është një nacionalizëm ekstrem, i dëmshëm dhe i papranuar nga Bashkimi Evropian”, tha ai./abcnews.al



