Një 57-vjeçar nga Maqedonia e Veriut është arrestuar në Korçë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet austriake, i akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë.
Sipas njoftimit të Policisë, shtetasi me inicialet T. P. u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare të Goricës, në momentin që po hynte në territorin e Shqipërisë.
Ai ishte shpallur në kërkim nga Interpol Vjena, pasi Gjykata Rajonale e Vjenës, me vendim të datës 4 gusht 2025, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë.
Pas kapjes, specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë kryen arrestimin e tij të përkohshëm, me qëllim ekstradimin drejt Austrisë.
Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet austriake, po vijon procedurat për ekstradimin e 57-vjeçarit në Austri, ku do të përballet me drejtësinë për akuzën që rëndon ndaj tij.


