Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e fushatave të mashtrimit përmes mesazheve SMS.
Apeli i institucionit është që të mos vendosen të dhënat bankare në faqe të dyshimta!
Qytetarëve u dërgohen SMS duke përdorur në mënyrë të rreme emërtimet e institucioneve dhe shërbimeve publike shqiptare.
SMS-të e rreme mund të jenë nga:
Bashkia Tiranë / Shërbimi i Parkimit, duke pretenduar ekzistencën e tarifave të papaguara të parkimit.
Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, duke njoftuar për shkelje të qarkullimit rrugor dhe gjoba të papaguara.
Posta Shqiptare, me pretendimin se qytetarët duhet të përditësojnë adresën për të mundësuar dorëzimin e pakove postare.
Në këto raste, mesazhet përmbajnë linke, të cilat i orientojnë qytetarët drejt faqeve të falsifikuara të internetit, që imitojnë faqet zyrtare të institucioneve përkatëse.
Qëllimi i këtyre fushatave është mashtrimi i qytetarëve për të siguruar të dhënat e tyre personale dhe bankare, përfshirë numrin e kartës bankare, datën e skadencës, kodin e sigurisë dhe kodet e verifikimit, të cilat mund të përdoren për kryerjen e transaksioneve të paautorizuara dhe përvetësimin e parave nga llogaritë bankare.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë linket nga këto SMS të dyshimta, të mos vendosin të dhënat e tyre bankare dhe të verifikojnë çdo njoftim për gjobat.


