Një 34-vjeçar ka humbur jetën mbrëmjen e sotme në fshatin Bardhaj të Shkodrës, pasi dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike gjatë riparimit të një defekti në një shtyllë elektrike.
Sipas informacionit paraprak, ai, punonte si elektricist i zonës. Ai është dërguar rreth orës 20:36 në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër, por ka mbërritur pa shenja jete.
Dyshohet se 34-vjeçari ishte thirrur jashtë orarit të punës nga disa familje të fshatit Bardhaj, të cilat kishin mbetur pa energji elektrike. Gjatë ndërhyrjes për riparimin e defektit, ai dyshohet se është goditur nga rryma elektrike.
Sipas të dhënave paraprake, ndërhyrja është kryer pa njoftuar dispeçerinë e OSHEE-së.
Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të dokumentuar ligjërisht rastin.


