Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se është “jashtëzakonisht e pamundur” që Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin sulme të reja ushtarake ndaj Iranit, nëse ka përparim në negociatat për programin bërthamor të Teheranit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Në një intervistë telefonike 20-minutëshe për CNN, Trump e përsëriti pesë herë se nuk e sheh të nevojshëm një operacion të ri ushtarak, duke lënë të kuptohet se gjithçka do të varet nga gatishmëria e Iranit për të arritur një marrëveshje.
“Varet nëse ata nënshkruajnë një marrëveshje shumë të fortë”, deklaroi Trump, duke iu referuar udhëheqjes iraniane. Ai pretendoi se Irani ndodhet në një situatë të rënduar ekonomike dhe se sulmet e mëparshme amerikane kanë dobësuar ndjeshëm kapacitetet e tij ushtarake.
Pavarësisht deklaratave në favor të një zgjidhjeje diplomatike, presidenti amerikan theksoi se forcat ushtarake të SHBA-së në rajon janë në gatishmëri të plotë.
“Ne jemi gati. Kam tre aeroplanmbajtëse atje. E fundit sapo mbërriti. Kemi tre. Ato janë plotësisht të pajisura dhe gati për të filluar”, u shpreh Trump.
Ai zbuloi gjithashtu se ushtria amerikane ka identifikuar objektiva infrastrukturore brenda Iranit, përfshirë termocentrale dhe ura, në rast se do të vendoset për një tjetër ndërhyrje ushtarake.
“Ne kemi 38 ura në shënjestër që mund t’i shkatërrojmë fjalë për fjalë brenda një ore. Të gjitha do të shemben”, deklaroi presidenti amerikan.
Megjithatë, Trump u shpreh se preferon të shmangë shkatërrimin e infrastrukturës iraniane, pasi rindërtimi i saj do të kërkonte shumë vite.


