Policia Rrugore e Tiranës ka ndëshkuar mijëra drejtues automjetesh për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, gjatë monitorimeve intensive në të gjitha akset e kryeqytetit.
Sipas njoftimit të Policisë, janë vendosur gjithsej 3,162 masa administrative për shkelje të ndryshme, të cilat përbëjnë burim potencial për aksidente rrugore.
Shkelja më e shpeshtë rezulton qëndrimi i gabuar i automjeteve, me 1,832 masa administrative. Ndërkohë, 292 drejtues janë ndëshkuar për tejkalim të normave të shpejtësisë dhe 118 për parakalim të gabuar.
Gjatë kontrolleve janë evidentuar edhe:
- 83 masa për mospërdorim të kaskës mbrojtëse ose jelekut fosforeshent;
- 56 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit;
- 52 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit;
- 37 masa për mosdhënie përparësie këmbësorëve;
- 23 masa për mosrregullim të shpejtësisë;
- 18 masa për xhama të zinj pa autorizim;
- 16 masa për qarkullim të motomjeteve në korsitë e biçikletave;
- 14 masa për mungesë të certifikatës së kontrollit teknik;
- 10 masa për drejtim të automjetit në gjendje të dehur;
- 7 masa për mosrespektim të sinjalit “STOP”;
- 4 masa për mosrespektim të semaforit.
Gjithashtu, 587 masa të tjera janë vendosur për shkelje të ndryshme të sinjalistikës rrugore.
Si rezultat i kontrolleve, 12 persona janë arrestuar, ndërsa për 4 të tjerë ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor.
Policia Rrugore e Tiranës bën apel për respektimin e rregullave të qarkullimit, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.


