Policia e Tiranës ka vendosur 36 gjoba ndaj personave që bllokuan rrugët dhe penguan qarkullimin e automjeteve gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet.
Sipas njoftimit të policisë, masat administrative janë marrë në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026. Për secilin prej 36 personave është vendosur një gjobë në vlerën 5 mijë lekë.
Sipas policisë, gjatë tubimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugën e Durrësit, protestuesit kanë bllokuar rrugët, duke penguar lëvizjen e automjeteve.
Policia bën me dije se punonjësit e saj u kanë bërë thirrje të përsëritura protestuesve, përmes megafonit, që të lirojnë rrugën, por këta të fundit nuk u janë bindur urdhrave.
Ndërkohë, materialet procedurale për rastin i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


