Analisti Roland Lami, në emisionin “Real Story” në ABC News, komentoi përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas Lamit, posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës mund të shërbejë si një trampolinë politike drejt drejtimit të Partisë Socialiste, çka e bën këtë pozicion me rëndësi të veçantë në raport me rivalitetet brenda partisë.
Analisti e interpretoi përplasjen Rama-Veliaj si një tjetër shembull të mënyrës se si, sipas tij, drejtuesit me prirje autokratike përballen me rivalët e mundshëm politikë.
“Nëse je kryetar bashkie rriten shumë gjasa që të marrësh drejtimin e partisë nesër. Ne po flasim për numrin 2 të PS. Pra përplasja me Veliajn Rama mendoj që na konsolidon sjelljen e autokratëve tonë në mënyrën se si kanë ecur me rivalët e tyre. Dhe Rama këtë gjë na konfirmoi, që unë si paraardhësit e mi, jam gati të vras krijesën time sa të bie viktimë e fëmijës tim. Këtë gjë na e konfirmoi edhe ky sherr…Atë gjë që bëri Zogu e bëri Saliu e bëri edhe Rama. Format për të eliminuar rivalin janë nga më të ndryshmet. Gjasat janë që me zotin Veliaj mund të ketë ndodhur kjo gjë”, tha ai.
/abcnews.al/


