Boca Juniors-River Plate nuk është një ndeshje e zakonshme futbolli. Madje as një derbi si gjithë të tjerët. Është një përballje, mes rivalësh të përjetshëm, që e kthejnë fushën në një arenë gladiatorësh, aq sa duket se rezultati është çështje “jete a vdekje”.
Këtë herë skena e kësaj sfide të madhe ishte mitiku “Bonbonera” i Buenos Aires, që jetoi një mbrëmje magjike me fitoren 1-0 të djemve të shtëpisë.
Me një atmosferë sureale në tribuna dhe në fushë përplasje, që kalonin kufijtë e sportivitetit, ndeshja kishte më shumë kartonë të kuq se gola.
Vendasit dominuan, sidomos pasi morën shpejt një epërsi numerike me të kuqin e Martinez Quarta që në minutën e 10-të.
Boka shënoi golin e avantazhit në të 27-ën me Di Lollo, ndërsa ky realizim do të vendoste edhe fatin e gjithë ndeshjes.
Por deri në fund, sfida do të dhuronte një lojë të fortë, që detyroi arbitrin të nxirrte nga xhepi 11 herë kartonin e verdhë dhe për të dytën herë edhe të kuqin për Montiel, edhe ky i River Plate. Por për të lënë fushën, mbrojtësi i kombëtares argjetinase duhej të shoqërohej me polici.
Me nëntë lojtarë, River e kishte pamundur të evitonte humbjen dhe të prishte festën e Boca Juniors që mbetet favorite për të fituar titullin kampion./abcnews.al


