Ministri i Brendshëm Ervin Demo dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dolën në një deklaratë për mediat, ku bënë një bilanc të situatës së krijuar në kryeqytet gjatë javëve të fundit, në kuadër të protestave.
Demo e cilësoi nivelin e dhunës si “të paprecedentë”, duke theksuar se kjo situatë ka qenë një sfidë e madhe për punonjësit e Policisë së Shtetit.
“Jemi këtu për të bërë një përmbledhje se çfarë ka ndodhur gjatë javëve të fundit përgjatë protestave që kanë ndodhur gjatë fundjavës. Dua të falënderoj punonjësit e Policisë së Shtetit për gatishmërinë, duke marrë parasysh edhe aktet e dhunës që kanë qenë shumë të larta.
Me buxhetin e shtetit 2027, do të kemi një rritje të pagave, do të jetë një rritje e konsiderueshme, një prej më të lartave në histori, rritje prej 20 mijë lekësh të reja. Javët e fundit kanë qenë shumë sfiduese për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe me një bilanc tejet negativ sa u takon të lënduarve, në total janë 347 të lënduar.
Nuk do të doja që të bëja diferencim mes punonjësve të Policisë së Shtetit, protestuesve apo edhe kalimtarëve, por këto shifra tregojnë që intensiteti i dhunës ka qenë si asnjëherë më parë”, tha ministri Demo.


